Një 34-vjeçar skocez, Mathew James Hicks, shkoi në spital marsin e kaluar me një ftohje të rëndë, por diagnoza ishte më e keqe se sa pritej: sepsis, e cila është një gjendje e rëndë mjekësore e shkaktuar nga një përgjigje e papritur imune ndaj një infeksioni.

 

Duke menduar fillimisht se ishte ftohur, ai vendosi të pinte paracetamol, sipas “Daily Record”. Pasi pa që nuk po përmirësohej dhe vazhdonte të kishte ethe, gruaja e tij njoftoi urgjencën. Pacienti u dërgua me ambulancë në spitalin skocez, Aberdeen Royal Infirmary Hospital. Atje, pas analizave, u konfirmua diagnoza e rëndë. Konkretisht, James vuante nga sepsis dhe pneumonia në mushkërinë e djathtë.

 

Nisur nga serioziteti i situatës dhe masat e marra për të mbajtur në jetë pacientin, mjekët u detyruan t’ia presin të dyja këmbët.

 

“U lehtësuam shumë kur na thanë se Mathew ishte shëruar, por më pas na dhanë një lajm të keq, që ishte amputimi”, tha gruaja e tij.

 

Pas dymbëdhjetë javësh i shtruar në spital, Hicks doli prej aty. Dhe megjithëse trupi i tij kishte ndryshuar, kishte ndryshuar edhe mentaliteti i tij: “Këndvështrimi im për jetën ka ndryshuar. Para sëmundjes kam punuar shumë, por tani e kuptoj që puna nuk është gjithçka dhe kam në plan të kaloj më shumë kohë duke shijuar jetën dhe duke kaluar më shumë kohë me familjen time”.

 

Sepsis është një përgjigje kërcënuese për jetën ndaj një infeksioni. Njihet edhe si “helmimi i gjakut” dhe ndodh kur sistemi imunitar i trupit ka një reagim të ashpër ndaj një infeksioni bakterial, viral ose fungal që përhapet në të gjithë trupin. Prandaj, James e ngatërroi atë për një ftohje të zakonshme.

 

Kur një person ka një infeksion, sistemi imunitar zakonisht përgjigjet duke lëshuar kimikate për të luftuar infeksionin. Megjithatë, në disa raste, kjo përgjigje mund të dalë jashtë kontrollit dhe të përhapet me shpejtësi në të gjithë trupin, duke shkaktuar inflamacion të përhapur dhe dëmtim të indeve dhe organeve. Edhe pse mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, është më e zakonshme tek njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si të sapolindurit, të moshuarit, ata me sëmundje kronike ose ata që kanë pësuar lëndime të rënda gjatë jetës së tyre.