Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Kavajë, ku dy persona humbën jetën duke qëlluar njëri-tjetrin me thikë dhe armë kanë dalë detaje të reja.

 

Sipas informacioneve dy viktimat Armand Gosa dhe Sali Rexha, u takuan në një lokal, ndërsa mjaftuan pak minuta për të tensionuar situatën.

 

Ditën e djeshme Altin alias Sali Rexha ka shkuar në lokalin afër shtëpisë së tij me qira kur ka ardhur Armandi, i cili nuk ka lidhje me zonën pasi nuk jeton aty afër.

 

Nuk dihet saktësisht nëse ardhja e Gosës pranë shtëpisë së Rexhës ka pasur synim konfliktin apo jo, por dëshmitarët e vendit të ngjarjes i thanë policisë se nisja e konfliktit ishte me fjalët ‘pse me sheh ashtu’.

 

Policia ka përfunduar veprimet paraprake dhe rezulton se nuk ka persona të tjerë të përfshirë në konflikt.

 

43-vjeçari Gosa rezulton me precedent penal pasi para disa vitesh ka plagosur një person ndërsa nga banorët e zonës njihet si një person problematik.

 

Ndërkohë viktima tjetër Sali Rexha ishte me orgjinë nga Kukësi dhe prej kohësh jetonte në qytetin e Kavajës. Të dy viktimat kanë jetuar në Itali dhe hetuesit po hetojnë edhe të kaluarën e tyre në shtetin fqinj për të parë nëse kanë patur aty ndonjë konflikt mes tyre.

 

Policia i ka shtuar dyshimet edhe për faktin se të dy 43-vjeçarët e kishin ndërruar emrin në Gjendje Civile.