Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka përfunduar procesin e digjitalizimit të fondeve arkivore të komunitetit ortodoks.

Bëhet fjalë për mbi 220 mijë dokumente të digjitalizuara, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes DPA dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (KOASH).

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, priti përfaqësuesit e KOASH-it, Episkop Asti dhe Arkimandrit Anastasi, në një takim ku vlerësuan bashkëpunimin, si një hap të rëndësishëm lidhur me ruajtjen dhe shfrytëzimin e pasurisë dokumentare në fjalë, në dobi të secilit prej institucioneve.

Me finalizimin e këtij procesi që përfshinte vetëm fondet arkivore, DPA-ja do të vijojë me digjitalizimin e dokumenteve të tjera të krijuara nga komuniteti ortodoks.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në dhjetor të vitit 2019, erdhi në vazhdën e angazhimit të DPA-së me tre komunitetet e tjera fetare të vendit (katolik, hebre dhe bektashi), për digjitalizimin e fondeve arkivore përkatëse./ata