Në Bashkinë e Lezhës po vijon puna për ndërtimin si dhe riparimin e dy objekteve arsimore pjesë e Programit EU4Schools, të cilat parashikohen të përfundojnë brenda këtij viti.

 

Më konkretisht, bëhet fjalë për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, ku përfitojnë 631 nxënës, 38 mësues dhe 60,000 banorë të komunitetit; si dhe riparimin e shkollës 9-vjeçare & kopshtit “Fran Ivanaj” Ishull-Shëngjin, ku përfitojnë 179 nxënës, 47 fëmijë, 17 mësues & 8,100 banorë të komunitetit.

 

Sipas PNUD Shqipëri, këto janë dy prej 15 objekteve, të cilat janë aktualisht në proces rindërtimi/riparimi në kontekstin e Programit “EU4Schools”, të cila po ndërtohen/riparohen bazuar në dy parimet themelore “Rindërtojmë Më Mirë” dhe “Rindërtojmë Së Bashku”, duke siguruar standardin më të lartë të procesit mësimor për nxënësit, fëmijët, mësuesit dhe mbarë komunitetet e prekura.

 

Në fokus të Programit “EU4Schools” është rindërtimi apo riparimi i 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë rreth 25,000 fëmijë, nxënës e mësues. Deri tani, në kontekstin e këtij programi kanë përfunduar 39 objekte arsimore.

 

Financuar nga European Union in Albania dhe zbatuar nga UNDP Albania, ky program po siguron standardin më të lartë të procesit mësimor për nxënësit, fëmijët, mësuesit dhe mbarë komunitetet e prekura.