Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) për vitin 2022 shënoi një rritje prej 4.84 %, krahasuar me vitin 2021.

 

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi rritjen ekonomike në 3-mujorin e katërt të vitit 2022, sipas të cilit vlerësohet një rritje prej 4.73 %, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2021.

 

“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak të PBB-së për vitin 2022, i cili mbështetur në vlerësimet tremujore, shënoi një rritje prej 4.84 %, krahasuar me vitin 2021”, thuhet në raport.

 

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT-i, kontribut kryesor dhanë ndërtimi me 1.69 pikë përqindje dhe “tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor”, me 0.96 pikë përqindje. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuuan me 0.54 pikë përqindje, ndërsa informacioni dhe komunikacioni kontribuuan me 0.47 pikë përqindje.

 

Negativisht kontribuuan degët e bujqësisë me 0.12 pikë përqindje dhe aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0.09 pikë përqindje.

 

Taksat Neto mbi produktet kontribuuan negativisht me 0.14 pikë përqindje

 

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi në tremujorin e katërt të 2022-shit u rrit me 4.49 %. Konsumi final i qeverisë pësoi rënie me 2,98 %.

 

Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet) pësoi rritje me 9.81 %, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0.59 %. Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3.15 %.