Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Europian mundëson integrimin gradual në hapësirën ekonomike dhe në tregun e përbashkët europian.

Gjatë punimeve të Konferencës Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, Rama u ndal te natyra e procesit të negociimit dhe ndërveprimit me BE, e cila sipas tij “është shumë dinamike”.

“Këtu dua të sjell në vëmendje një fakt konkret që lidhet pikërisht me rolin proaktiv të Shqipërisë përmes një diplomacie dinamike në funksion të ndikimit të vetë BE-së për interesat tona, të para në një kënd më të gjerë si pjesë e interesit të përbashkët rajonal. Specifikisht dua të flas për hartimin e një politike të re të BE-së përmes një instrumenti të ri financiar dhe zhvillimor për krejt rajonin tonë, i cili shkon tanimë përtej sistemit të mbështetjes me fondet IPA”, tha Rama.

Plani i ri i Rritjes, sipas kryeministrit, “adreson në mënyrë specifike një nevojë të madhe të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të përmirësuar performncën dhe rritur konvergjencën ekonomike me vendet e BE-së”.

“Ky plan hap kështu rrugën që, ndërkohë që ne negociojmë anëtarësimin në BE, të mund të integrohemi gradualisht në hapësirën ekonomike dhe në tregun e përbashkët europian. Kjo është diçka e re që u krijohet si mundësi vendeve të rajonit tonë dhe lidhet pikërisht me rolin tonë proaktiv dhe me një qasje të re këmbëngulëse nga ana jonë për të bërë më të mirën në funksion të interesave tona, duke arritur të argumentojmë përputhjen mes këtyre interesave dhe aleatëve dhe partnerëve tanë, në këtë rast BE-së”,shtoi Rama.

Plani i ri i Rritjes, sipas Kryeministrit, “është një instrument tani në dorën tonë dhe së bashku me partnerët në Bruksel ne jemi në një proces sistemimi të të gjithë hapave dhe të të gjithë piketave që do të duam të arrijmë përmes këtyre hapave për të rritur ndërkohë masaën e integrimit pa pritur që të bëhemi anëtarë të BE-së”.

“Kjo është edhe arsyeja pse pa na e kërkuar askush ne kemi nisur një proces të ri përmes një synimi abolutisht ambicioz për të lançuar një dallgë të re reformash duke u organizuar në Kuvendin e Shqipërisë me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin”, shtoi Rama./ata