Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjete sociale, pak ditë para se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të marrë pjesë në gjyqin që do të mbahet me datë 3 prill, i cili akuzohet për krime lufte.
Përmes një postimi në Twitter, Rama ngriti pyetjen, nëse mund të konsiderohen kriminelë, ata persona që e kanë dërguar vendin e tyre drejt lirisë, kundër regjimeve brutale.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe faktin se dikur, Thaçi është konsideruar nga presidenti amerikan, Joe Biden, si George Washington i Kosovës.
“A duhet të konsiderohen kriminelë ata që e çojnë popullin e tyre drejt lirisë kundër regjimeve brutale? Është një mendim shqetësues, veçanërisht duke pasur parasysh se njeriu në këtë foto dikur u përshëndet si George Ëashington i Kosovës nga vetë Joe Biden!”, shkroi Rama në Twitter.
Më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Një gjykatë speciale e Kosovës e ngritur në Hagë e paditi Thaçin në nëntor 2020 për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën dhe zhdukjen me forcë të njerëzve ndër të tjera gjatë kryengritjes.