Në një deklaratë për mediat nga Shkodra, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore për 4 martirët e demokracisë, të cilët humbën jetën në demonstratën e 2 prillit të 1991, Berisha ka ftuar shqiptarët që të bashkohen në zgjedhjet e 14 majit, për t’i dhënë fund sipas tij, monizmit të Edi Ramës.

 

Ndër të tjera Berisha tha se nëse shqiptarët do votojnë kandidatët e dalë nga grupimi i Alibeajt, atëherë çdo votë e tyre do të shkojë për qeverinë.

 

“Çdo vit që kalon martirët e 2 prillit Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka bëhen më të mëdhenj, më të pavdekshëm, me veprën e tyre sublime. Veçanërisht ata mbeten një burim i përjetshëm frymëzimi, për të gjithë shqiptarët që duan të votojnë të lirë dhe një detyrim i PD për të kthyer votën e lirë. Ne i nderojmë ata në një monizëm të egër i cili referuar OKB për gjenocidi, ushtron gjenocid ndaj shqiptarëve, lidhur me largimin e shqiptarëve. Sakrifica e tyre është një apel për çdo shqiptar që më 14 maj të vendosim për pluralizmit, për t’i shkurtuar ditët këtij regjimi që po i vjedh si askush tjetër, po i largon të ikin nga vend i tyre. Po shkreton vendin në mënyrë të rrufeshme.

 

Partia Demokratike është e sigurt se do të dalë fitimtare. I garantoj shqiptarët për vendosmërinë tonë për t’i rikthyer shqiptarëve demokracinë. Binomi Basha Alibasha përbën shëmtirën më të madhe të historisë politike të Shqipërisë, pengje të Edi Ramës dhe çdo votë e imagjinuar për ata është votë për Edi Ramën. Ata s’kanë merituar asnjë besim pasi në radhë të parë shkelmojnë veten e tyre, sillen si pengje pa asnjë lloj vlere”, tha Berisha.