Ish-presidenti i Bayern Munchen, Uli Hoeness, deklaroi se udhëtimi për të shijuar skitë i Julian Nagelsmann ishte një faktor në vendimin e klubit për ta shkarkuar trajnerin muajin e kaluar.

Nagelsmann u shkarkua nga detyra e trajnerit të Bayernit gjatë periudhës së pushimit të klubeve për shkak të kualifikueseve të kombëtareve dhe u zëvendësua me ish-trajnerin e Chelsea, Thomas Tuchel.

Tani, ish-presidenti për një kohë i gjigantëve bavarezë ka kritikuar vendimin e Nagelsmann për t’u larguar me pushime skish, pas humbjes në Bundesligë ndaj Leverkusen. Duke folur për “Kicker”, Hoeness tha:

“Nagelsmann nuk duhej të kishte shkuar me pushime për ski pas humbjes në Leverkusen. Nëse do të kishte qëndruar në Mynih, drejtuesit do ta kishin takuar dhe do të flisnin me të të hënën ose të martën. Dhe kush e di, çfarë do të kishte ndodhur pastaj…”

Situata ka filluar “të vlojë”, me agjencinë që menaxhon Nagelsmann, e cila lëshoi një deklaratë, duke sugjeruar se klubi nuk kishte kontakte përpara se shkarkimi i trajnerit të raportohej në media.

Oliver Kahn, ish-portieri gjerman dhe CEO aktual i Bayern, ka sugjeruar gjithashtu që për shkak të pushimeve të Nagelsmann nuk mund të planifikonin një takim për të diskutuar pozicionin e tij në klub.

Megjithatë, ai ishte i bindur se Nagelsmann ishte vënë në dijeni përpara se shtypi të publikonte lajmin për largimin e tij. Shumë thashetheme për arsyet e shkarkimit të tij po qarkullojnë, por sugjerohet se ai pati një përplasje me nënshkrimin e verës, Sadio Mane, në javët para shkarkimit.