Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka deklaruar sot se plani i tij për të trajtuar çështjen e emigrantëve që kalojnë ilegalisht me gomone në Kanalin Anglez po funksionon.

 

Sunak tha se shifrat ishin ulur me rreth një të pestën që nga viti i kaluar, ndërsa shtoi se marrëveshja e kthimit me Shqipërinë kishte çuar në kthimin e 1,800 personave dhe kishte një efekt parandalues.

 

Në një fjalim në Kent, Sunak tha: “Para se të nisja planin tim në dhjetor, numri i hyrjeve ilegalisht në MB me varka të vogla ishte katërfishuar në dy vjet. Disa thanë se ky problem ishte i pazgjidhshëm, ose thjesht problem i shekullit të 21-të”.

“Ata kishin humbur besimin te politikanët për të vendosur dhe për të bërë diçka për këtë. Dhe sigurisht, ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë. Por në pesë muajt që kur kam nisur planin, kalimet tani janë ulur me 20% krahasuar me vitin e kaluar.

“Kjo është hera e parë që nga fillimi i këtij problemi që mbërritjet midis janarit dhe majit kanë rënë në krahasim me një vit më parë.”

Ai sugjeroi se Britania e Madhe po bënte më shumë se vendet e tjera evropiane, por tha se qeveria nuk ishte “e vetëkënaqur”.

Kryeministri shtoi: “Me guxim dhe vendosmëri, qeveria mund ta rregullojë këtë dhe ne po përdorim çdo mjet që kemi në dispozicion”.

Ndër të tjera kryeministri britanik tha se Mbretëria e Bashkuar kishte shkuar nga pranimi i rreth një në pesë rasteve të kërkesave për azil për shqiptarët në vetëm një në 50.

“Deri më tani këtë vit, numri i mbërritjeve të gomoneve shqiptare ka rënë me gati 90%,” tha ai. “Kjo është dëshmi se strategjia jonë e parandalimit mund të funksionojë.”