Pas kryerjes së atentatit ndaj Behar Sofisë, grupi i djemve që kishin marrë përsipër krimin, kishin edhe një porosi tjetër përveç vrasjes që kishin marrë si detyrë të kryenin në Gjermani.

Janë të dhëna që kanë dalë nga rrëfimet e Ernejt Shytit, të riut që u arrestua në Malin e Zi teksa shtronte pllaka pasi ai nuk kishte marrë pagesën për vrasjen që kishte kryer në anën e lumit Lana nën hundën e Policisë, që patrullonte vendin në kuadër të masave anti-Covid.

 

Referuar të dhënave që kanë dalë nga dëshmia e vrasësit që tashmë thuhet se është i penduar, është mësuar se bëhet fjalë për një të ri në Kamzë, i cili duhej të eliminohej me porosi të Bujar Lezajt. Personi që duhej vrarë, sipas tij, Prokurorisë dhe Gjykatës, ishte i vështirë pasi ai e kishte vendqëndrimin në afërsi të Komisariatit të Policisë, e për pasojë ka qenë e pamundur të kryhej derisa ndërhyri Policia për ta sjellë në pranga Shytin për vrasjen e Behar Sofisë. Kështu, vetëm nga dëshmia e Shytit, shkon në tre numri i personave, për të cilët ka qenë i interesuar, gjithnjë sipas tij dhe Prokurorisë, Bujar Leza për të vrarë.

 

ATENTATI I DËSHTUAR

 

Ernej Shyti që ekzekutoi Behar Sofinë në 2021 në Tiranë ka hedhur më tepër dritë mbi grupin me të cilin bashkëpunonte. Plani i vrasjes së biznesmenit nuk kishte qenë i pari dhe as i fundit. Ai thotë se pas ekzekutimit në mes të Tiranës, shënjestra e radhës ishte një 34-vjeçar që jetonte në Kamzë. Shyti rrëfen pse dështoi atentati dhe kush ishin rolet e anëtarëve të grupit. Gjatë procesit gjyqësor për vrasjen e Behar Sofisë më 25 shkurt 2021 në Tiranë, në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë zbardhur detaje të reja, në lidhje me grupin e vrasësve me pagesë, disa prej të cilëve ndodhen prapa hekurave.

 

Ernejt Shyti, që dyshohet të jetë edhe personi që ka shkrepur armën ndaj biznesmenit, rrëfen se pas këtij krimi, shënjestër e radhës ishte një 34-vjeçar që jetonte në Kamzë. Shyti përmend shumën e parave që ishin vënë në dispozicion për eliminimin e të riut, atentat i cili dështoi. Sipas të pandehurit, që ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë, shënjestra jetonte shumë pranë komisariatit të Policisë nr.5 në Kamzë dhe ekzekutimi ishte i vështirë. Shytaj tregon emrin e porositësit dhe atij që do bënte ekzekutimin.

RRËFIMI

 

“Pasi u vra Behar Sofia, kishim porosi tjetër nga Bujar Leza. Do të bënim një vrasje në Kamzë, shënjestra ishte një person 34 vjeç që e kishte shtëpinë në Kamzë, shumë pranë komisariatit të Policisë. Këtë vrasje do ta bënte Xhulian Visha, por zona ishte shumë e monitoruar dhe ndaj paguhej shumë lekë. Nuk u arrit qëllimi sepse duhej studiuar mirë zona, ishte tepër e vështirë”.

 

Shyti nuk e jep emrin e shënjestrës dhe se cila ishte arsyeja që Bujar Leza e donte të vdekur dhe kishte angazhuar për ta kryer ekzekutimin Xhulian Vishën. I pari kërkohej nga Policia për vrasjen e Sofisë, teksa pas ngjarjes, autoritetet zbuluan se ndodhej në burg për dhunë në familje. Në vitin 2014, Leza në bashkëpunim me Leonard Xhixhën dhe një person tjetër tentuan që të vrisnin Fatjon Alimanin.

 

Porositësi i vrasjes, Mirdash Osmani, kishte kërkuar eliminimin e 20- vjeçarit, pasi disa muaj para atentatit të dështuar kishte pasur një zënkë me të, që kishte përfunduar në plagosje më armë zjarri. Por fatmirësisht plani u pikas shpejt nga Policia në atë kohë. Me sa duket, Leza nuk kishte hequr dorë nga “profesioni”, duke ndërhyrë në vrasjen e Sofisë. Nga ana tjetër, Xhulian Visha u arrestua si pjesë e grupit të atentatit të 2021-t në Tiranë, pasi u përfshi në vëzhgimin dhe koordinimin e planit të vrasjes së biznesmenit./Panorama