Kryeministri Edi Rama informoi sot se Banka Botërore ka dhënë një fond mbështetje prej 900 milionë dollarësh për programin e ri të zhvillimit për periudhën 2023-2027.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, Kryeministri Rama informoi se u zhvillua një proces jo i lehtë dhe i gjatë bashkëbisedimi dhe negociimi me Bankën Botërore për të përcaktuar kornizën e re të partneritetit që është faktikisht programi i ri i zhvillimit me mbështetjen e BB-së për periudhën 2023-2027.
“Kemi marrë në dispozicion 900 milionë dollarë, të cilat do të shpërndahen sipas një sërë pikash. Por ajo që dua të them është se jemi në kushtet e një faze të re në jetën ekonomike dhe sociale të vendit dhe kemi hedhur të gjitha bazat e nevojshme për të bërë një kapërcim tjetër në funksion të objektivave të shpallura për vizionin Shqipëria 2030”, tha Rama.
Rama falënderoi Bankën Botërore për gjithë mbështetjen e saj në të gjitha vitet, por në mënyrë të posaçme për këtë proces që është kornizuar tani.
“Në memorien time është procesi më i thelluar në çdo sektor dhe detaj dhe procesi më jo konvencional që kemi bërë për të adresuar të gjitha ato pika të jetës sociale e ekonomike të vendit që do të stimulojnë energji të reja zhvilluese”, tha ai.