Nga Tropoja, kryedemorkati Sali Berisha ka premtuar projektet që do të zbatohen kur PD të rikthehet në qeveri.

 

Teksa prezantoi  kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e këtij qyteti, Besnik Dushaj, Berisha u zotua për ndërtimin e autostradës së Bregut të Drinit, hekurudhës për të lidhur Shqipërinë me Kosovën dhe vendosjen dyshtetësive për qytetarët.

 

Më tej, kreu i demorkatëve akuzoi qeverinë “Rama” se ka diskriminuar për tetë vite veriun e vendit, ku sipas tij, ka mungesë të investimeve.

 

“Këto tetë vite kanë qenë vitet e diskriminimit ekstrem për veriun. Mendoni pak, çfarë është investuar në Tropojë? E ka futur 6 miliardë në deficit Rexh Byberi. Diskriminimi merr fund, projektet e mëdha të nisura, do kompletohen. Autostrada e Bregut të Drinit do jetë autostrada e alpeve, do jetë një nga projektet më kryesore. Projekti është gati. Ajo del rruga më panoramike jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Ballkanit, një nga rrugët më panoramike të gjithë Europës. Do jetë përparësi e parë. Lidhja e Shqipërisë me Kosovën me hekurudhën do jetë projekti i dytë i katërvjeçarit të parë të PD-së në pushtet. Së fundmi, sapo të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, Shqipëria do firmosë marrëveshje me Kosovën për vendosjen e dyshtetësisë. Të gjithë shqiptarët do kenë të drejtë të mbajnë shtetësinë e Kosovës ose Shqipërisë, njërën ose tjetrën ose të dyja bashkë. Ai kufi mbetet si një relike e padrejtësisë që është bërë ndaj shqiptarëve. Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndjehen një komb, një qëndrim, një të ardhme. Ja pse zgjedhjet e 14 majit, ja pse vota për Besnik Dushën është votë e misionit tonë, është zgjedhje e jetës sonë, me rëndësi të jashtëzakonshme për fatin e Tropojës dhe Shqipërisë”,-tha Berisha.