Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin këtë të martë për 6 persona, të cilët ishin dënuar nga shkalla e parë për trafik droge.

 

Apeli ka vendosur dënimin me 15 vjet burg për Xhemal Shalën, 12 vjet burg për Jasin Kala Avdylin, Denis Llaftiu 10 vjet burg, ndërsa është vendosur lënia në fuqi e vendimit të shkallës së parë për Islender Sale.

 

Apeli ka rikthyer për rigjykim çështjen ndaj dy personave të tjerë pjesë e këtij grupi, Astrit Balliu dhe Fatos Llaftiu.

 

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Igerta Hysi (kryesuese), Engert Pëllumbi (anëtar) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 04.04.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 4/54 akti, datë 25.07.2022 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit A.B.(alias A, S.), J.K.(alias A.), F.Ll., I.S.(alias M.Gj.), Xh.Sh., dhe ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kundër vendimit nr. 8, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

 

“1-Deklarimin fajtor të të pandehurit J.K.(alias A.), për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

 

-Deklarimin fajtor të të pandehurit J.K.(alias A.), për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal dhe në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 9(nëntë) vjet burgim.

 

-Deklarimin fajtor të të pandehurit J.K.(alias A.), për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/, gëmia “b”, 25, i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

 

-Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit J.K.(alias A.), me 9(nëntë) vjet burgim.

 

-Në aplikim të nenit 14 të Ligjit nr.8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri J.K.(alias A.) ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.

 

2-Deklarimin fajtor të të pandehurit D.Ll., për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

 

-Deklarimin fajtor të të pandehurit D.Ll., për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal dhe në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 9(nëntë) vjet burgim.

 

-Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit D.Ll., me 9(nëntë) vjet burgim.

 

-Në aplikim të nenit 14 të Ligjit nr.8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, i pandehuri D.Ll. ta vuajë dënimin në burgun e sigurisë së lartë.

 

3-Deklarimin fajtor të të pandehurit A.B.(alias A.,S.) edhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

 

4-Deklarimin fajtor të të pandehurit I.S.(alias M.Gj.) edhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

 

5-Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.Sh. edhe për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim…”.

 

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

 

Lënien në fuqi të vendimit nr.8, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për disponimet që lidhen me:

– Fajësinë e të pandehurit J.K.(alias A.), për kryerjen e veprës penale “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287, gërma “b” e Kodit Penal, llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale, si dhe disponimin në lidhje me konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurisë “{…}”, me adresë {…}, me numër pasurie {…}, zona kadastrale {…}, {…};

 

– Fajësinë e të pandehurve I.S.(alias M.Gj.) dhe Xh.Sh., për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/a/1, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;

 

– Fajësinë e të pandehurve I.S.(alias M.Gj.) dhe Xh.Sh., për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 284/c, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;

 

– Vendin e vuajtjes së dënimit për të pandehurit I.S.(alias M.Gj.) dhe Xh.Sh.

 

Ndryshimin e vendimit nr. 8, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si më poshtë:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit J.K.(alias A.), për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/1, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit J.K.(alias A.) për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

 

– Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit J.K.(alias A.) me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

 

– Në mbështetje të neneve 15 dhe 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri J.K.(alias A.), pjesën e mbetur të pavuajtur të dënimit, duhet ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit D.Ll., për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 283/1, në lidhje me nenet 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit D.Ll. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

 

– Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit D.Ll. me 10 (dhjetë) vjet burgim.

 

– Në mbështetje të neneve 15 dhe 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i pandehuri D.Ll. këtë dënim duhet ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit I.S.(alias M.Gj.) për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre)vjet burgim.

 

– Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit I.S.(alias M.Gj.) me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

 

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.Sh., për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre)vjet burgim.

 

– Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Xh.Sh., me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burgim.

 

Prishjen e vendimit nr. 8, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të pandehurit A.B.(alias A., S.) dhe F.Ll.dhe kthimin e akteve për rigjykim në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Mospranimin e ankimit të ankuesve I.S.(alias M.Gj.) dhe Xh.Sh.5.Shpenzimet procedurale të gjykimit në apel iu ngarkohen solidarisht të pandehurve J.K.(alias A.), D.Ll.,I.S.(alias M.Gj.) dhe Xh.Sh.