Kryeministri i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fadil Novalliç dënohet me katër vjet burg për keqpërdorim të fondeve për blerjen e respiratorëve kinezë gjatë pandemisë COVID-19.

 

 

Gjykata në Bosnje e Hercegovinë shpalli dënimin e shkallës së parë kundër Novalliçit më 5 prill, ashtu si edhe kundër të të pandehurve të tjerë në këtë rast: kreut të suspenduar të Mbrojtjes Civile të Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Fahrudin Sollak, dhe pronarit të kompanisë bujqësore “Srebrena Malina”, Fikret Hoxhiç.

 

 

Sollak u dënua me gjashtë vjet burgim dhe Hoxhiç me pesë.

 

 

Kompania “Srebrena Malina” gjithashtu do të duhet të paguajë kompensim në vlerë prej 100 mijë eurosh.

 

Novalliç nuk u paraqit në seancën e shqiptimit të dënimit.

 

Ai është akuzuar se ka hartuar një plan për të përdorur para nga buxheti i vitit 2020 për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve për të luftuar koronavirusin.

 

Ai është bashkuar me Sollakun dhe Hoxhiqin “për të siguruar përfitime materiale” që më pas do t’i ndanin mes vete.

 

Ministrja e Financave, Jellka Miliceviç, është liruar nga akuza se nuk i ka penguar ata që ta bëjnë një gjë të tillë.

 

Gjyqi për blerjen e 100 ventilatorëve nga Kina, me vlerë 5.4 milionë euro, për nevojat e sistemit shëndetësor në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ka filluar më 23 shkurt, 2021, para Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës.

 

Respiratorët janë blerë në prill të vitit 2020, një ditë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë COVID-19.

 

Prokuroria e Kantonit të Sarajevës ka nisur hetimet pasi është bërë e ditur se puna është kryer pa tender dhe me marrëveshje të drejtpërdrejtë me kompaninë private “F.H. Srebrena Malina”, e cila merret me tregti të pemëve dhe perimeve.

 

Prokuroria e Shtetit e ka marrë më pas lëndën nga Prokuroria Kantonale dhe aktakuza është konfirmuar në fund të vitit 2020.