Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për ngritjen e platformës elektronike të monitorimit dhe verifikimit të konsumit të energjisë elektrike.
Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri të ditur se kjo platformë do të jetë në funksion të Agjencisë për Eficiencën e Energjisë Elektrike dhe do të monitorojë konsumin e energjisë elektrike në të gjithë sektorët dhe parametrat e eficiencës së energjisë, ku më pas do të hartohen politika dhe do të merren masa.
“Agjencia për Eficiencën e Energjisë Elektrike pas një periudhe dy vjeçare të funksionimit do të ketë një instrument të ri elektronik që do ta ndihmojë në ndërtimin e planeve, strategjive dhe masave më efikase në këtë sektor”, tha Balluku në një deklaratë për mediet, pas mbledhjes së qeverisë.