Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi shpjegoi sot premtimin e tij elektoral për transportin publik falas me dy profesionistë që kanë punuar prej vitesh në transportin urban, si Manush Thanasi dhe Bardhylka Thanasi.

 

Gjatë vizitës në shtëpinë e tyre, Këlliçi theksoi se përfitues të transportit publik falas do jenë 200 mijë përdorues në ditë.

 

“Transporti publik falas do të jetë me përfitime të shumëfishta për banorët e kryeqytetit. Nga transporti publik falas nuk do të përfitojnë vetëm 200 mijë përdoruesit ditorë të tij, por do të ketë edhe të tjera përfitime pasi do të ulet trafiku, ndotja dhe do të lehtësohen parkingjet. Transporti urban me aq sa kushton, u lehtëson jetën 200 mijë qytetarëve në ditë që e përdorin. Përveçse ul koston e jetesës, sepse i heq atë 400 lekëshin për një rrugë, po 800 lekë vajtje-ardhje, po në muaj i kursen mesatarisht, një familje që e përdor, të paktën 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Me ato lekë ata mund të paguajnë ujë e drita, internet në shtëpi, pra është një ndihmë. Mund të marrin ilaçet pensionistët, pra ka shumë benefite. Nga ana tjetër, ul trafikun, ju e shihni çdo ditë se çfarë bëhet, edhe te rruga juaj është një trafik i tmerrshëm. Gjithashtu ul ndotjen e ajrit. Ne kemi sot numrin më të madh të fëmijëve azmatikë në Europë, ndërkohë jemi një nga 10 kryeqytetet më të ndotura të Europës. Nuk e heqim dot fare, por e minimizojmë çështjen e parkimit”-tha Belind Këlliçi.

 

Po ashtu, Këlliçi u shpreh se do të ketë gjithashtu investime për të modernizuar jo vetëm flotën e autobusëve, por njëkohësisht për të përmirësuar edhe shërbimin në stacione.

 

“Prandaj kemi vënë dhe një fond tjetër, që është 5 milionë dollarë në vit, që nuk është asgjë për buxhetin e bashkisë Tiranë, për të shtuar numrin e autobusëve edhe për të marrë autobusë modernë…se problemi është që këto autobusët, unë nuk jam për të paragjykuar ato rastet kur kanë pasur shoferët probleme shëndetësore, ajo mund t’i ndodhë kujtdo dhe është një gjë, është fatkeqësi. Por, nga ana tjetër, një pjesë e autobusëve nuk u punojnë frenat, nuk janë të mirë, nuk janë komodë. Nuk janë mjaftueshëm me kushtet që i duhet një autobusi për të qenë në kushte normale”, u shpreh Këlliçi.

 

Gjatë bashkëbisedimit në familjen Thanasi, Belind Këlliçi u shpreh se nismat e tij janë me këmbë në tokë dhe të realizueshme, pasi buxheti aktual i Tiranës i ka mundësitë për të përballuar këto shërbime