Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremonië e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, të cilët prej sot i përkasin për tërë jetën Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

 

“Sot pjesë e FA-së bëhen një grup sportistësh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo europian. Kjo është një ditë tejet e veçantë se në këtë grup bëjnë pjesë edhe 3 kampione shqiptare nga Kosova, të cilat nga sot e tutje do të jenë bashkë me kampionët shqiptarë nga Shqipëria nën të njëjtin flamur, për të njëjtin mision me të njëjtat ambicie dhe vullnete të bashkuara në funksion jo më vetëm të sportit por edhe të FA-së”, tha Rama.

 

Kryeministri theksoi se përfshirja e këtyre kampionëve dhe gradimi i tyre sot në gradën më të lartë si kolonel dhe kolonele të FA-së të Republikës së Shqipërisë si dhe i pjesës tjetër me grada të tjera sipas arritjeve të tyre në sport, përbën pa asnjë diskutim një vlerë të shtuar morale dhe profesionale përtej simbolikës.

 

“Kamionët shqiptarë tanimë të dalë përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës nga shteti do të jenë mes ushtarakëve tanë, mes gjithë atyre përpjekjeve për ta ngritur lart ushtrinë tonë duke dhënë forcën e shembullit të tyre dhe njëkohësisht shembullin e forcës së tyre në dispozicion të stërvitjes psiko-fizike të FA. Jam shumë i lehtësuar sot nga një barrë tjetër që më në fund qeveria jonë e heq nga kurrizi i barrave të mëdha të trashëguara të së shkuarës, sepse nga sot ne mund ti shikojmë në sy kampionët, por edhe gjithë ata që i kushtohen sporteve individuale apo kolektive, pa e ulur kokën nga sëkëlldia, për të mos thënë turpi për harrimin dhe harresën e tyre”, tha Rama.

 

Kryeministri solli në vëmendje faktin se në të shkuarën jo fort të largët djem të talentuar kanë ngritur flamuj të shteteve të tjera në aktivitete ndërkombëtare, sepse shteti i tyre nuk i jepte asnjë mundësi të luftonin për flamurin tonë kombëtar.

 

“Për shumë e shumë vite ikën nga Shqipëria dhe u futën në skuadra të tjera kombëtare, në vende që mbase i njohën për herë të parë kur morën rrugën dhe e bënë këtë për një palestër, për trajtim ushqimor dinjitoz dhe për të pasur në krah trajnerë të motivuar. Në pamundësi për të përfaqësuar atdheun e tyre, së paku të përfaqësonin forcën e talentit të tyre”, tha Rama.

 

Kjo, vijoi ai, “është një histori turpi e qeverive, e shtetit shqiptar, që tani i përket së shkuarës”./ATSH