Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra Besnik Shehun, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë.

 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 3 prill për subjektin e rivlerësimit, Besnik Shehu vendosi shkarkimin e tij nga detyra.

 

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Valbona Sanxhaktari relatore, Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

 

Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

 

Besnik Shehu e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.