Deputetët e Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi dhe Albana Vokshi depozituan ditën e sotme në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen e Portit të Durrësit.
Në një deklaratë për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit, deputetët Bylykbashi dhe Vokshi u shprehën se ky projekt është një aferë që po zhduk portin.
“Sapo depozituam në emër të 35 deputetëve të opozitës kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor të Kuvendit për të hetuar aferën më skandaloze, korruptive dhe grabitqare, atë të grabitjes së Portit të Durrësit dhe dhënies për interesa private të klientëve të qeverisë. Është një kërkesë e cila bëhet me kërkesën e 35 deputetëve, të cilët me firmat e tyre detyrojnë sipas Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendin për ta ngritur pa diskutim këtë Komision Hetimor. Kanë firmosur edhe deputetë të cilët e kanë lënë mandatin, por ata janë përtej numrit 35. Pra, kërkesa ka 35 firmat e nevojshme për të bërë të detyrueshme ngritjen e këtij komisioni”, tha Bylykbashi.
“Kjo aferë po zhduk portin më shumë se 2700-vjeçar të Durrësit. Është një port i cili është nyja strategjike e të gjithë komunikimeve tregtare, ekonomike të transportit, por gjithashtu një nyje strategjike ushtarake që Shqipëria si vend anëtar i NATO-s vë në dispozicion të aleancës. Me këtë aferë Porti i Durrësit vdes menjëherë. Ajo që parashikohet aty, një projekt që në një të ardhme për 20 vite do të zhvillohet një resort rezidencial, do të zhdukë këtë port dhe nuk ka asnjë garanci që porti tjetër do të zhvillohet në të ardhmen. Do ta lerë Shqipërinë në këtë mënyrë pa një asetet më të mëdha.Grabiten miliarda euro që vlen ajo pronë publike. Janë 150 milionë euro që i hiqen dhe i grabiten qytetarëve të Durrësit në taksat e zhvillimit ku qeveria ia fal investitorit privat që është klient i saj. Është cënuar autonomia vendore më të cilën vetqeverisen qytetarët e Durrësit, dhe këtë qeveria e bën duke i ulur kokën atij pushteti vendor që bën gati ta grabisë sërish në zgjedhjet e 14 majit në Durrës”, tha Bylykbashi.
Nga ana e saj, deputetja e PD-së Albana Vokshi shtoi se deputetët e opozitës në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare, me komisionet evropiane, me disa komisionerë, me disa europarlamentarë.