Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve edhe në fushën e sigurisë kibernetike.

 

Koordinatori Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa dhe ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulaiman Humand Salem Al Mazroui, nënshkruan sot në Tiranë  memorandumin e mirëkuptimit për forcimin e sigurisë kibernetike.

 

E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, zv.kryeministrja Belinda Balluku njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se kjo është një marrëveshje strategjike mes  Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në Shqipëri dhe Këshillit të Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, që ka në fokus rritjen e bashkëpunimit për ngritjen e sigurisë kibernetike në nivelin e standardeve më të mira që i përgjigjet kërkesave të kohës.

 

“Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij memorandumi tha Balluku, është ndarja e informacioneve mes vendeve që i shërben rritjes së sigurisë kibernetike, forcimit të kapaciteteve njerëzore në fushën kibernetike dhe ngritjen e sistemeve të sigurisë”.

 

“Shqipëria është e vendosur në konsolidimin e hapësirës kibernetike dhe zhvillimin e këtij sektori sipas standardeve më të mira”, u shpreh Balluku.