Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela prezantoi sot në Kuvend  raportin vjetor “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2023”.

Çela u shpreh se ka një ulje të kallëzimeve me 9.3%, teksa shtoi se vihet re një ulje e denoncimeve sa i takon dhunës në familje dhe rritje sa i takon veprave penale në fushën e narkotikëve.

Sipas tij, “veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022”.

“Veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022. Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %”, shtoi Çela.

Për veprat penale të korrupsionit, Çela theksoi se janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur dhe 140 procedime me 151 të pandehur janë dërguar për gjykim.

Sipas kryeprokurorit nga hetimet e realizuara janë zbuluar në 6 raste të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

“Nga 44 procedime penale të transferuara nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të pranuara nga Prokuroria e Posaçme, janë regjistruar 32 procedime penale për vepra që lidhen me korrupsionin në nivele të larta ose vepra penale që lidhen me detyrën”, vijoi Çela.

Po ashtu, Çela theksoi se “referuar të dhënave statistikore për veprën penale “Dhuna në familje”, për vitin 2023 janë regjistruar 1 396 procedime penale, me 1 078 të pandehur, ose me ulje 3,92 % të procedimeve dhe ulje 11,35 % të pandehurve të regjistruar krahasuar me vitin 2022.

Çela tha se një nga shqetësimet mbeten vakancat në sistem, të cilat janë pasojë e Vetting-ut, të cilat kanë arritur deri në 38% të prokurorëve.

“Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55 253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë e Tiranës me 35,12 % të numrit total të procedimeve; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”, tha Kryeprokurori Çela.

Kryeprokurori po ashtu tha se Shqipëria ka dalë nga lista gri e FATF.

“Ky rezultat ka ardhur ndër të tjera nëpërmjet reformave dhe politikave të zbatuara në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe veçanërisht si rezultat i gatishmërisë për bashkëpunim, transparencës së treguar dhe rezultateve tepër pozitive të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në hetimin e pastrimit të parave. Për këtë Shqipëria nuk do t’i nënshtrohet më monitorimit të shtuar të FATF.”

“Rezultati i këtyre masave është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të parave, ku janë regjistruar 158 procedime penale të reja dhe 15 të pandehur, ndërkohë 14 procedime me 27 të pandehur u dërguan për gjykim dhe 22 të pandehur rezultojnë të dënuar. Në këtë periudhë vetëm për veprën penale të pastrimit të parave janë regjistruar 156 procedime të reja me 11 të pandehur, dhe 11 procedime me 16 të pandehur janë dërguar për gjykim”, tha Çela.

Ai shtoi se se ka ecuri pozitive sa i takon ekstradimeve. “Gjatë vitit 2023, janë trajtuar 171 praktika ekstradimi nga jashtë drejt Shqipërisë, ndër të cilat janë përfunduar 45 dhe 99 praktika ekstradimi nga Shqipëria për jashtë, ndër të cilat janë përfunduar 48”, tha Kryeprokurori.

Lidhur me dekriminalizimin, Çela tha se “nga 91 kërkesa të reja, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 77 procese për verifikim të thelluar./ata