Drejtuesja e Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Komisionin e Rithemelimit në PD, Lili Sula u shpreh sot në një deklaratë për mediet se Ministria e Financave ka urdhëruar titullarët e shkollave të mesme profesionale, drejtoritë rajonale të formimit profesional publik, drejtoritë rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive – për të pezulluar nga puna mësuesit që kandidojnë për anëtarë të këshillave bashkiakë.

 

Ajo u shpreh se urdhri shprehet tekstualisht se “nëse ata janë regjistruar si kandidate për këshillat vendorë drejtuesit duhet të njoftojnë menjëherë pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive me qëllim që të ndjekim procedurat e pezullimit nga detyra”.

 

Sula tha se baza ligjore që kanë cituar urdhëruesit nuk ka asnjë lidhje me objektin e kërkuar.

 

“Partia Demokratike denoncon me forcë presionin dhe shantazhin institucional që po ushtrohet ndaj mësuesve, si një akt flagrant e në të shkelje të të drejtave të individit e njëherësh si kërcënim i drejtpërdrejtë për mësuesit për të hequr dorë nga angazhimi qytetar dhe intelektual në dobi të komunitetit si kandidatë për këshilla bashkiakë. Presioni që i është përcjellë titullarëve të institucioneve me shkrim dhe verbalisht për të pezulluar nga puna mësuesit është plotësisht i jashtëligjshëm, madje bie ndesh me çdo nen të Kushtetutës e Kodit Zgjedhor që citojnë shantazhistët shtetarë si dhe me të gjitha aktet nënligjore”, u shpreh Sula.