Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Portali i Fermerit adreson edhe elementin e transparencës së çmimeve.

 

Gjatë prezantimit të këtij portali, Rama tha se “informimi do të ndihmojë të kapërcejmë më shpejt këtë fazë të ndërmjetme midis të shkuarës dhe të ardhmes në bujqësi”.

 

“Kemi parë situata të vështira për fermerët, kemi parë momente abuzimi nga disa grumbullues e të tjerë. Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes, pa dalë nga shtëpia, duke pirë kafe, fermeri hap dhe shikon sa janë çmimet dhe askush nga grumbulluesit nuk mund t’i fshihet realitetit të çmimit duke bërë truke dhe abuzime”, tha ai.

 

Rama solli në vëmendje rastin e fermerëve që hedhin prodhimin, ndërsa u shpreh se “kjo ndodh ngaqë ata janë të painformuar”.

 

“Kemi parë kur dalin në televizion fermerë me mollë apo qershi që i hedhin në rrugë apo me qershi që i hedhin në rrugë apo ku di unë dhe natyrisht ata së bashku me gazetarët e këtyre kronikave, së bashku me shumëkush që i sheh, edhe unë nuk e dija nga brenda si funksionon kjo punë dhe pse ndodhin këto gjëra, mendojnë të gjithë që shteti ka një faj këtu. Mirëpo, duhet t’i japim një përgjigje pyetjes “Pse në të njëjtin shtet, në një distancë relativisht të shkurtër, njëri ose disa i marrin mollët dhe i hedhin në rrugë dhe humbasin mundin, djersën, shpenzimet dhe të tjerë, jo shumë larg, i shesin mollët si frëngu pulën”?

Ku ndryshojnë këto dy grupe?”, tha Rama.

 

Sipas tij, “grupi i parë është i painformuar dhe duke qenë i painformuar insiston të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë që është bërë aty gjithmonë pavarësisht se konjuktura e tregut ka ndryshuar”.

 

“Edhe pse ajo lloj molle nuk ka më sukses, se ai lloj trajtimi nuk të çon më askund, se ato sasira nuk vlejnë më për të bërë pazare, vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ndërkohë që grupi i dytë ka marrë informimin e duhur, ka kuptuar që nuk mund të vazhdojë të njëjtin avaz dhe i ka prerë të gjitha pemët e mëparshme dhe ka mbjellë pemë të reja, falë informacionit”, sqaroi ai.

 

Rama tha se ky portal do të ndihmojë që kush do të kuptojë, ta ketë shumë të lehtë të kuptojë.

 

“Kush do të informohet, ta ketë shumë të thjeshtë të informohet. Kush do që t’i japë përgjigje këtyre dilemave që si i bëhet për këto e si i bëhet për atë, ta ketë shumë të lehtë”, tha ai.