“Pronat do t`i merrni aty ku i kishit”, ishte zotimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, para banorëve të Kombinatit.
Gjatë takimit të organizuar nga “Grupimi për Kombinatin”, Këlliçi e cilësoi vjedhje shembjen e shumë pallateve në Kombinat, duke u marrë pronën qindra familjeve, që sot, si tha ai, janë në qiell të hapur.
Këlliçi u angazhua që pas 14 majit, këto familje të përfitojnë pronën që kishin, në të njëjtin vend dhe me të njëjtën sipërfaqe si më parë.
“Kjo është një vjedhje që ka ndodhur ditën për diell në Kombinat dhe shpërngulje e qindra familjeve që janë hequr nga këtu. Një pjesë e tyre janë çuar në Vaqarr, një pjesë e tyre janë çuar prapa Tecit. Një pjesë e tyre sot janë pa bonus, një pjesë e tyre e marrin bonusin që nuk u del për një vend qeraje tjetër, për një shtëpi tjetër. Por mbi të gjitha, kam përshtypjen që biem dakord dhe konvergojmë në një pikë, nuk dinë se çfarë do të ndodh me apartamentet e tyre. Nuk dinë se ku do t’i marrin, çfarë sipërfaqeje kanë, çfarë u takon, janë të paqartë për të vetmen pronë që kanë në jetë. Me premtimin që padiskutim që qytetarët e Kombinatit, do të marrin pronën e tyre aty ku e kishin dhe me sipërfaqen e pronës aty ku e kishin”-u shpreh Këlliçi.
Ai tha se, katër vjet pas tërmetit, dhe pasi ka shembur dhjetëra pallate në Tiranë, Erion Veliaj refuzon të përballet me banorët që u ka marrë pronën nën preteksin e rindërtimit.
Ai foli edhe për angazhimin e tij, që pas 14 majit, transporti publik në Tiranë të jetë falas për qytetarët. “Në thelb janë po paratë tuaja që do t’u shkojnë 200 mijë qytetarëve në ditë. E kuptoni që në 6 muaj, kryetari i bashkisë ka ndenjur në Tiranë vetëm një muaj e gjysëm” -tha Belind Këlliçi.
Para banorëve të Kombinatit, Belind Këlliçi prezantoi dhe dy angazhimet e tjera të programit të tij, ndalimin e derdhjes së ujërave të zeza në lumin Lana si dhe krijimin e 500 oazeve në çdo lagje të kryeqytetit”.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Kombinatit, Belind Këlliçi foli edhe për paketën fiskale, ku parashikohet heqja dhe reduktimi i disa taksave dhe tarifave vendore, ku pritet të përfitojnë 41 mijë biznese të vogla dhe të mesme në Tiranë.