Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të programit të ri të detyrueshëm të trajnimit për drejtues shkollash dhe aspirantë të rinj, nga 35 shkolla të arsimit profesional në të gjithë Shqipërinë.

 

Prej vitit 2019 “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar”, një bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, zbaton programin e trajnimit për certifikimin e drejtuesve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, por nuk përfshinte shkollat e mesme profesionale.

 

Programi 9-mujor synon të zhvillojë kapacitetet drejtuese dhe menaxheriale të drejtorëve, nëndrejtorëve dhe mësuesve aspirantë në Institucionet e Arsimit Parauniversitar.

 

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kushi vlerësoi si një zhvillim shumë të mirë përfshirjen e arsimit dhe aftësimit profesional në Shkollën e Drejtorëve, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi arsimor më të barabartë dhe më të përgjegjshëm që plotëson më mirë nevojat e të rinjve, punëdhënësve dhe shoqërisë në tërësi.

 

Ministrja theksoi se, “shërbimi i karrierës në klasat e 9-ta është një mbështetje e mirë për shkollat profesionale, pasi nxënësit, meqë janë ende të vegjël për të marrë vetë vendime, ndihmohen, jo vetëm nga familjet e tyre, por edhe nga shkollat 9-vjeçare, të cilat e kanë detyrim t’i informojnë ata për prirjet, zhvillimet dhe kërkesat në tregun e punës, si dhe specifikat lokale të vendit”.

 

Zgjerimi i arsimit të detyrueshëm, me përfshirjen e arsimit dhe aftësimit profesional, konsiderohet një hap i rëndësishëm për të zhvilluar një fuqi punëtore të kualifikuar për të ardhmen e vendit tonë.