Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se, “Policia e Shtetit ka pësuar transformim të rëndësishëm vitet e fundit, kyesisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës, rinovimit të trupës, numrit të trajnimeve dhe së fundi edhe në drejtim të ristrukturimit të saj”.

 

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Tiranë me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të sistemit të Burgjeve, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Çuçi, tha se, “falë reformave dhe mbështetjes që ka adresuar qeveria, ne kemi bërë të mundur që të kemi një strukturë dhe më europiane të Policisë së Shtetit”.

 

Policia e Shtetit vijoi ai, ka në fokus luftën kundër figurave të krimit të organizuar, duke i dhënë përparësi të veçantë atyre të krimit të organizuar ekonomik dhe korrupsionit.

 

“Nga ana tjetër jemi në një proces të digjitalizimit të të gjithë proceseve të Policisë së Shtetit”, tha ministri, teksa vuri në dukje se, sulmi i fundit kibernetik na ka orientuar të forcojmë më shumë kapacitetet në këtë drejtim për të rritur instrumentat mbrojtës të domosdoshëm në proceset e transformimit digjital.

 

“Në këtë kuadër të gjitha këto, kërkojnë që kemi një trupë të Policisë së Shtetit sa më të trajnuar gjë për të cilën po punojmë fort. Ne filluam vitin e kaluar me rritjen e pagave të Policisë së Shtetit, proces që do vijojë. Policia e Shtetit ishte sektori që përfitoj rritjen më të madhe të pagave në të gjithë nënsektorët e saj, por kjo mbështetje ndaj Policisë së Shtetit nuk do të ndalet këtu”, deklaroi Çuçi.