Prokurorët e specializuar në Hagë do ta kenë të vështirë ta provojnë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fajtorë për krimet e supozuara, sipas dy ekspertëve të drejtësisë, Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir.

 

 

Holvoet, profesor i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, i tha REL-së se i ka bërë përshtypje edhe se sa i fuqishëm është ekipi i mbrojtjes i të akuzuarve.

 

“Problemi është gjithmonë në gjetjen e lidhjes mes krimeve të kryera fizikisht në terren dhe njerëzve më të fuqishëm në organizatë, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Dhe, këtë do të duhet ta dëshmojë Prokuroria dhe do të jetë e vështirë. Për të qenë i sinqertë, instinkti më thotë se mund fare mirë të ketë shpallje pafajësie”, është shprehur Holvoet, duke shtuar se mund të ketë dallime mes katër të akuzuarve.

 

 

Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, Holvoet u referohet aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Për Hehir – studiues nga Universiteti Westminster në Angli – ai që bie më shumë në sy është përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

 

“Kushdo që është në dijeni për atë që ka ndodhur në Kosovë nuk do të habitet që ka pretendime se anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime. Por, kjo gjykatë duket se po e akuzon UÇK-në në tërësi për një lloj strategjie të madhe, që mendoj se është e paqëndrueshme”, shprehet eksperti.

 

“Ideja që UÇK-ja të përshkruhet si një sipërmarrje kriminale… ky term është shumë nënçmues dhe mendoj se kjo do t’i alarmojë njerëzit në Kosovë dhe do ta prekë me të vërtetë atë nerv që njerëzit ndiejnë në lidhje me UÇK-në si heronj”, shton ai.

 

Gjatë deklaratave hyrëse sidoqoftë, prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me vetë ata, e jo me gjithë UÇK-në, duke shtuar se “shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”.