Një 41-vjeçar është arrestuar ditën e sotme pranë Hasit pasi tentoi të kalonte kufirin teksa kishte në bagazhin e makinës një armë sportive gjahu.
Raportohet se shtetasi I. M. udhëtonte me një automjet tip Benz, në bagazhin e të cilit iu gjet arma dhe municionet e saj të cilat u sekuestruan së bashku me makinën.
Sakaq, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Qafë Prush, Has
Tentoi të kalonte kufirin, me një armë sportive që e kishte fshehur në bagazhin e automjetit, vihet në pranga 41-vjeçari.
Sekuestrohen arma sportive, municion për këtë lloj arme dhe automjeti që drejtonte 41-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Prush, Has, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin I. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën në bagazh, një armë sportive dhe municion për këtë lloj arme, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 41 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.