Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një lokal, në lagjen nr.1 në Librazhd, ku u plagos me armë zjarri një 35-vjeçar.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 35-vjeçari është plagosur aksidentalisht nga Albi Biçaku, i cili tentoi të vriste një shtetas tjetër, pasi ishte konfliktuar me vëllanë e tij.

Uniformat blu bëjën me dije se në vijim të veprimeve është arrestuar në flagrancë vëllai i Albi Biçakut, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se rreth orës 18:00, shtetasi R. B. (vëllai i shtetasit A. B.) është konfliktuar fizikisht me shtetasin R. H. Më pas, shtetasi A. B. ka shkuar në lokalin ku po qëndronte shtetasi R. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur ai dhe si pasojë është plagosur aksidentalisht në këmbë shtetasi Sh. S., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë vëllai i autorit të kësaj ngjarjeje, shtetasi R. B., 33 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” ”-njofton policia.

Arrestimi i 33-vjeçarit u bë pasi gjatë kontrollit në banesën dhe në dyqanin e përbashkët me vëllanë e shpallur në kërkim si autor i plagosjes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp me lëndë plasëse e programuar për shpërthim në distancë, 1 karikator automatiku, 1 krehër pistolete, 136 fishekë dhe rreth 560 gamë kanabis.