Kryeministri, Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale është ndalur sërish te rritja e pagave dhe ka deklaruar se pagat e reja janë frut i reformave të vështira, rritjes së të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, investimeve publike dhe private etj.
Kreu i qeverisë po ashtu thotë se rritja e pagave mesatare në 900 Euro është frut i punës së përbashkët të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet.
“PAGAT E REJA, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900 Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona, rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, PAGAT E REJA janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet”, shkruan Kryeministri Rama në Facebook.