Ministri i brendshëm Bledi Çuçi që në nisje të vitit e konsideroi jo si një tregues që na bën krenarë por si arritje luftën pa kompromis brenda radhëve të policisë së shtetit.

 

E nëse nga janari e deri në dhjetor të vitit 2022 u arrestuan 168 punonjës policie, për këtë vit efektivët e prangosur sërish nuk na bëjnë krenarë ndërsa AMP duket se ka marrë rolin e vetingut në polici i cili dështoi.

 

Nga janari e deri në dy javët e para të muajit prill Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar 18 punonjës policie te akuzuar për vepra të ndryshme penale por që më së shumti prangat janë vënë për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

 

Për 13 efektivë është caktuar masa “arrest në burg”, 4 janë lënë në “arrest shtëpie” dhe një tjetër u lirua në “detyrim paraqitje”.

 

Rasti më i bujshëm ishte arrestimi i Shefit të Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, Altin Morina, të cilit iu gjetën 113 mijë euro në makinë por edhe i nënkomisarit Sokol Canameti, i vënë në pranga për “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

 

Morina akuzohet për pastrim parash dhe lidhje me grupet kriminale në vend ndërsa Canameti, i cili ishte Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Policinë e Tiranës, kundrejt 2 mijë eurove i kishte premtuar lehtësimin e pozitave të një personi ndaj të cilit zhvillonte hetime për prodhim dhe shitje narkotikësh.

 

Ndërkohë, në muajin mars AMP dhe SPAK nisën hetime për Sektorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Tiranës, pasi kishin dyshime se disa efektivë janë përfshirë në skema korruptive.

 

Nisur nga zhvillimet tek Krimi Ekonomik, drejtori i përgjithshëm i policisë Muhamet Rrumbullaku vendosi të pezullojë deri në hyrjen në fuqi të strukturës së re të Policisë së Shtetit të gjithë drejtuesit vendor në të gjitha qarqet të Krimit Ekonomiko-Financiar, për shkak të mungesës së efikasitetit kundër evazionit fiskal dhe korrupsionit.

 

Përgjatë kësaj kohe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në prokuroritë e rretheve në të gjithë vendin edhe 40 punonjës policie për t’u hetuar në gjendje të lirë kryesisht për ankesa që kanë ardhur nga qytetarë të pakënaqur me shërbimet.