Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi sot planin strategjik të pastrimit të qytetit për 5 vitet e ardhshme, si vijim i bashkëpunimit të suksesshëm me bashkinë e Veronës dhe kompaninë Eco Tirana.
Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se Tirana është një nga qytetet më të pastra në Ballkan dhe u shpreh krenar se kjo vihet në dukje edhe nga të huajt e shumtë që vizitojnë kryeqytetin shqiptar.
“E kam zemrën plot mirënjohje për ju sepse sot Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore. Kjo vjen falë burrave dhe grave, e sidomos grave, që punojnë orar pa orar, qoftë për Vit të Ri, për Bajram, për Pashkë, çdo fundjavë, apo qoftë kur është ditë pushimi për të gjithë dhe një parti ka vendosur të bëjë protestë dhe ata sigurohen që çdo gjë të pastrohet në kohë rekord, e në 15 minuta Tirana kthehet në normalitet. Jam ndjerë vërtet krenar kur shumë delegacione, qofshin nga Komisioni Europian – kur të gjithë kryeministrat e Europës u mblodhën në Tiranë në dhjetor – apo në ngjarje të mëdha si finalja e UEFA Conference League ose në aktivitetet për Vitin e Rinisë dhe Vitin e Sporteve, pavarësisht se flasin gjuhë të ndryshme, pavarësisht se vijnë nga vende të ndryshme, pavarësisht se vijnë për aktivitete të ndryshme, disa për politikë, disa për sport, disa për muzikë, një gjë e thonë të gjithë njësoj: Tirana është kryeqyteti më i pastër që kanë qenë në këto vite”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se pastërtia e Tiranës është kartëvizita më e bukur e qytetit, sidomos për turistët e huaj që e vizitojnë çdo vit atë.
“Nuk po them se jemi më mirë se jashtë shtetit, kemi plot gjëra që nuk funksionojnë dhe që duhet t’i bëjmë më mirë. Nuk po them se jemi vendi më i mirë në botë, as kryeqyteti më modern në botë, por jam duke thënë se tek çështja e pastrimit jemi numri 1 sot në rajonin tonë. E për sa kohë që këtë e thonë kryeministrat, çdo kryetar bashkie që na viziton, e thonë turistët, besoj se kjo është diçka që duhet të na bëjë krenarë. E di që politika futet kudo, i fut hundët edhe tek kazanët, tek pastrimi, tek koshat, tek fshesa, sepse e tillë është politika, sidomos në vendin tonë, që futet në çdo qelizë të shoqërisë, por unë besoj se kjo është një fushë ku secili duhet të ndihet krenar. Një rrugë e pastër, një shesh i pastër, një shkollë e pastër, një trotuar i pastër, duhet të na bëjë të gjithëve të ndihemi mirë, e të mos të politizojmë diçka që është kartëvizita më dinjitoze, më e bukur e përfaqësimit, fytyra jonë më e europiane, që është pastrimi i një Tirane që ndodh përditë”, nënvizoi kreu i Bashkisë.
Veliaj: Këta që premtojnë se do i bëjnë të gjitha falas, nuk u paguanin as sigurimet shoqërore punonjësve
Veliaj kujtoi se si 8 vjet më parë ndërmarrja e pastrimit ishte e zhytur në borxhe, kurse sot është një histori suksesi dhe mbulon me shërbim një qytet, i cili është rritur 29 herë nga viti 2015.
“Ata janë tetë vite mbrapa, ende nuk e kuptojnë se Tirana është rritur me 29 herë. Ne jemi tetë vjet përpara, që të sigurohemi që është 29 herë më e pastër seç ishte ajo Tirana jonë e vogël”, u shpreh Veliaj në prezantimin e planit të ri për pastrimin e qytetit të Tiranës.
Ai tha se në 2015-ën, ata që e kishin Tiranën, e lanë qytetin të mbytur ne borxhe.
“E gjetëm buxhetin e pastrimit me 60% borxhe. Pra, nga 100% që ishte total, 60% ishin borxhe. Një mënyrë për t’i bërë të gjitha falas është të mos paguajë rrogat, të mos paguajë sigurimet shoqërore, të mos paguajë sigurimet shëndetësore, ta lerë Tiranën zhul, ta bëjë çdo gjë falas, hidhi plehrat gjithandej. Por, në fund na e lanë ne faturën, se dikush duhet t’i paguajnë këto,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se pas vitit 2015, bashkia e Tiranës i pagoi borxhet e mbledhura që në vitin e parë. Ai tha se bashkia e Tiranës do jetë e para që do i përgjigjet vendimit të qeverisë për rritjen e pagave.