Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiraj u shpreh sot se, ndërtimi i urës mbi lumin Bunë do të shkurtojë në 300 metra distancën mes Velipojës e Ulqinit, nga 73 kilometra që është aktualisht.
Gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, për ndërtimin e urës ndërkufitare mbi lumin Buna/Bojana”, Yzeiraj renditi disa prej përfitimeve që pritet të sjellë realizimi i këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor.
“Ndërtimi i një ure mbi lumin Buna është një nga ëndrrat e kahershme, jo vetëm të banorëve, por edhe të qeverive shqiptare, në këto 30 vjet. Kjo marrëveshje dhe ndërtimi i kësaj ure do të ketë efekte të jashtëzakonshme, jo vetëm për komunitetet që jetojnë përgjatë lumit Buna, duke nxitur zhvillimin e turizmit në të dyja krahët e Bunës, por do të ketë efekt të jashtëzakonshëm për sa i përket ndërlidhjes mes Shqipërisë e Malit të Zi”, tha ai.
Yzeiraj u shpreh se, me ndërtimin e kësaj ure ndërhyhet në një nga zonat relativisht të izoluara deri tani ndërmjet dy vendeve.
“Ura mbi lumin Buna do të sjellë një zhvillim edhe në sektorë të tjerë si në atë bujqësor dhe agropërpunues dhe do të ndihmojë edhe subjekte të tjera të sektorit të turizmit të ndërlidhura me to, siç janë fermat, kulinaria, peshkimi apo sektorët e tjerët të lidhur me transportin”, tha ai.
Po ashtu, Yzeiraj vuri në dukje se, kjo është një urë që ndërlidh dy komunitete shqiptare që jetojnë në të dyja krahët e lumit.
Duke u ndalur tek ndikimi në turizëm, Yzeiraj theksoi se, “kemi rreth 360 mijë turistë që vizitojnë pjesën shqiptare dhe 170 mijë që vizitojnë Ulqinin, të cilët me urën e re do të komunikojnë në lehtë me njeri-tjetrin”.
“Janë 34 km plazhe, të cilat fatkeqësisht nuk janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin në këtë moment. Distanca aktuale është 73 km nga Muriqani ose 1.5 orë. E gjitha reduktohet në një distancë 300 metra ose 5 minuta me automjet gjatë sezonit të verës”, tha ai.
Po ashtu, Yzeiraj theksoi se, përmirësimi i qarkullimit dhe aksesit përgjatë vijës bregdetare, jo vetëm do të krijojë një sinergji mes dy shteteve, por do të nxisë turizmin.
Sipas tij, “ky projekt promovon zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe përmirëson rritjen e konkurrencës në drejtim të ofertës së përbashkët turistike”.