Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa tha se Gjykata Kushtetuese e ka legjitimuar kërkesën e 36 deputetëve, për pezullimin e menjëhershëm të koncesionit të Butrintit.

 

Zhupa në një dalje për mediet tha se “Gjykata Kushtetuese ka bërë mbledhjen e saj të parë të konferencës së gjyqtarëve dhe na ka legjitimuar, qoftë si palë kërkuese, qoftë edhe si objekt kërkimi”.

 

Zhupa theksoi se Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit njehsohen duke thënë që koncesioni i Butrintit është antikushtetues.

 

“Konkretisht jemi ne deputetët si organ kushtetues, të cilët kemi paraqitur edhe kërkesën, edhe parashtrimet tona, të cilët kërkojmë shfuqizimin e koncesionit dhe nga ana tjetër është Presidenti i Republikës, i cili siç e ka paraqitur edhe në Kuvend me dekret edhe me arsyet e kthimit të këtij dekreti, e quan koncesionin antikushtetues”, u shpreh ajo.

 

Zhupa informoi se, “risia dhe shtesa e këtyre parashtrimeve është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, një organ tjetër kushtetues i pavarur në parashtrimet që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese mbështet plotësisht kërkesën e deputetëve të Opozitës dhe kërkon shfuqizimin e ligjit si një ligj antikushtetues”.