Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar sot 9 masa sigurie, për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njofton se mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal nr.75, datë 27.04.2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.  SPAK bën të ditur se edhe mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka regjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr. 75 viti 2023.

“Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disamujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara”, njofton SPAK.

“Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore”, sqaron SPAK.

“Së pari, nga hetimet e kryera është provuar fakti se në periudhën 2016-2020, gjatë kohës që shtetasi Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, shoqëria tregtare “Igor Elektrik” sh.p.k e njëjtë me “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 (shtatë) procedura prokurimi, të realizuara nga autoriteti kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. Në këto procedura prokurimi shtetasi Redi Molla ka patur cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Njësisë së Prokurimit, ka urdhëruar përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (duke caktuar në katër raste si anëtar të këtij komisioni shtetasin Mariglen Qato që është ortaku tjetër indirekt i shoqërisë), ka nënshkruar kontratat e sipërmarrjes, si dhe ka kryer çdo veprim tjetër që lidhet me cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, me shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së dyti, është provuar fakti se në periudhën 2016-2018, gjatë kohës që shtetasi Mariglen Qato, ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 (katër) procedura prokurimi. Në këto procedura prokurimi shtetasi Mariglen Qato ka patur cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe ka qënë pjesë e marrjes së vendimit për shpalljen e fituesit të procedurës së prokurimit, për shoqërinë tregtare në zotërim të tij.

Së treti, nga veprimet hetimore të kryera është provuar fakti se shoqëria tregtare “V.A.S Konstruksion” sh.p.k e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, në disa procedura prokurimi të organizuara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë.

Janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albano Janku në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik. Ekzistojnë dyshme të bazuara se shtetasi Taulant Tusha ka pasur dijeni në lidhje me ortakët e vërtetë të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe ka favorizuar këtë shoqëri tregtare duke ditur se cilët persona kanë qënë zotëruesit indirekt të aksioneve të shoqërisë.”, njofton SPAK.

Së katërti, janë mbledhur provat e nevojshme që provojnë faktin se shtetasja Elantina Zere në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Elantina Zere ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Së pesti, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se shtetasja Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi operatorin ekonomik “V.A.S Konstruksion sh.p.k” e njëjtë me “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, si dhe duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt. Shtetasja Deborah Keçi ka pasur komunikime direkte me shtetasin Nestor Muhamellari administrator i shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k dhe vlerësimin e ofertave të pjesëmarrësve në tender e kanë bërë vetë punonjës të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k, duke i dhënë titullari i autoritetit kontraktor shtetasit Nestor Muhamellari user-at e anëtarëve të KVO-së.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1. Caktimin ndaj personit nën hetim Redi Molla të masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale:  “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7  raste, nga këto 4 raste të kryera në bashkëpunim, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 raste.

2. Caktimin ndaj personit nën hetim Mariglen Qato të masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 raste, të kryera në bashkëpunim, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

3. Caktimin ndaj personit nën hetim Taulant Tusha të masës së sigurimit “arrest në burg”, e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë.

4. Caktimin ndaj personave nën hetim Enton Punavija  të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, i dyshuar për veprat penale: (i) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë.

5. Caktimin ndaj personit nën hetim Julian Zanaj të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë.

6. Caktimin ndaj personit nën hetim Albano Janku të masës së  sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.

7. Caktimin ndaj personit nën hetim Nestor Muhamellari të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë.

8. Caktimin ndaj personit nën hetim Elantina Zere të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

9. Caktimin ndaj personit nën hetim Deborah Keçi të masave të sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.

Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal”, njofton SPAK./ata