Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla së bashku me kryesinë e grupit kanë zhvilluar sot një takim me ekspertë të Bundestagut gjerman.

 

Balla ka bërë të ditur përmes një njoftimi se, në këtë takim u diskutua mbi rolin e ri që do të ketë Kuvendi në fazën e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe rritja e transparencës me qytetarët.

 

“Bashkë me Kryesinë e grupit parlamentar socialist dhe me ekspertët e përzgjedhur nga Fondacioni Friedrich Ebert diskutuam mbi rolin e ri që merr Kuvendi në këtë fazë të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, mbi nevojën e një reforme në mënyrën e organizimit të Kuvendit në komisionet e përhershme dhe në rritjen e transparencës me qytetarët dhe mbi përmirësimin e llogaridhënies dhe kontaktet me zgjedhësit”, u shpreh Balla.

 

Dy ekspertët në Bundestagun gjerman, Dr. Sven Vollrath Drejtor i Departamentit për Europën në Parlamentin Gjerman dhe Christoph Thum, këshilltar për Politikat Europiane në Grupin Parlamentar të SPD, siç vuri në dukje Balla, do të vijojnë të asistojnë grupin parlamentar të PS-së./ATSH