Jetmir Koloshi, shoferi i furgonit që u arrestua pasi iu gjetën 8 pistoleta të fshehura poshtë një tavoline është duke u hetuar nga SPAK.

 

Në vijim të hetimeve, autoritetet po verifikojnë personin që ka dorëzuar tavolinën ku ishin të fshehura armët.

 

Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe personi pritës në Britani të Madhe, në adresën që do të dorëzohej porosia.

 

Mësohet se autoritetet shqiptare akoma nuk kanë dërguar letërporosi në Britani të Madhe, por procedurat kanë nisur.

 

Megjithatë, nga ana e tyre autoritetet britanike kanë marrë masa për kontrolle të shtuara në kufi. Dyshimet e policisë shqiptare janë për një rrjet personash me të shkruar kriminale që e kanë biznes trafikimin e armëve.

 

Deklarimet e Koloshit nuk kanë ndihmuar shumë hetuesit mbi ngjarjen, pasi është shprehur se personin qe i ka dhënë tavolinën nuk e njihte por ka treguar mënyrat e komunikimit me të.

 

Për personat që do e merrnin në Angli ai është shprehur se nuk dinte se kush do e merrte për shkak se ka patur të shënuar vetëm adresën dhe jo emra konkretë.