Kryeministri malazez, Dritan Abazoviç do të qëndrojë për një vizitë pune prej nesër deri të shtunën në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në shtetin e Kosovës, kryeministri Abazoviç do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani-Sadriu dhe me zyrtarë të tjerë shtetërorë.
Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Kurti dhe Abazoviç do të nënshkruajnë marrëveshjen bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Në kuadër të ditës së parë të vizitës në Republikën e Kosovës, Abazoviç do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri i Malit të Zi do të takojë po ashtu dy ish-presidentët e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri Abazoviç do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.
Kryeministri Abazoviç do të takohet me Gjeneralin e KFOR-in Michelle Rastuçia dhe do vizitojë Galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë, Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.
Kryeministri Abazoviç dëshiron të theksojë rolin e Maestros Gjelosh Gjokaj dhe kompozitorit Regjo Mulliqi në raportet ndërkulturore mes dy vendeve.
Abazoviç gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitojë Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Abazoviç do të vizitojë Rezidencën Historike të dr. Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini, Basri Çapriçit.
Abazoviç gjatë qëndrimit të tij do vizitojë objekte fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë, Katedralen Nënë Tereza dhe Patriarkanën e Pejës i shoqëruar nga kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxhiri.
Pjesë e agjendës së Abazoviç janë edhe takimet me konsullin e nderit të Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi, dhe me konsullin e nderit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Shkëlqim Devolli.
Gjithashtu, janë paraparë takime me organizata dhe në universitete private./KosovaPress/