Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi takim me banorët e Njësisë Nr.11 në Laprakë.
Duke folur për shpronësimet për shkak të ndërtimit të Unazës së Re, Belind Këlliçi u angazhua që pas 14 majit të bëhet dëmshpërblim i plotë i banorëve dhe me çmimin e tregut.
Për auditimin e pallateve 50-vjeçare, Këlliçi u shpreh se asnjë pallat në këtë moshë nuk do të shembet. Madje, ai siguroi se pas 14 majit këto pallate të rikonstruktohen me sistem kapot, e cila minimizon kërkesat për energji të familjeve që banojnë në to.
Gjithashtu ai ndal dhe tek problemet e infrastrukturës në Laprakë ku u angazhua që në këtë zonë, pasi ai të marrë drejtimin e bashkisë Tiranë, do të kryhen investime në rikualifikimin urban dhe infrastrukturën e lagjeve.
“Do të rregullojmë infrastrukturën rrugore në Kodër Kamëz edhe te Treshi. Do të marrë fund historia, që nënat e reja, nuk kanë trotuar që të nxjerrin fëmijët me karrocë. Do të ndërhyjmë në kanalizim për të shmangur përmbytje në zonën e “Zogut të Zi” në zonën e “Dërrasave”, u shpreh Këlliçi.
Për projektin e transportit publik falas, Këlliçi tha para banorëve të Laprakës, se kanë punuar ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj.
“Unë do e bëj realitet pas 14 majit. Me këtë premtim janë marrë ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj të transportit rrugor, inxhinier dhe persona që përfaqësojnë shoqatën lokale dhe kombëtare të transportit urban”, përfundoi Këlliçi.