Pijet industriale të mbushura plot me sheqerna janë kudo dhe konsumohen nga shumica e njerëzve, duke nisur që nga fëmijët e vegjël e deri tek më të moshuarit.
Ato janë bërë aq shumë pjesë e jetës së përditshme, pavarësisht efekteve të tyre negative që po zbulohen dita ditës.
Studimet më të fundit, të cilave u referohet AgroWeb.org, thonë se njerëzit që pijnë të paktën një pije të tillë në ditë, janë më të rrezikuar nga prania e yndyrnave të këqija në gjak dhe rrjedhimisht nga sëmundjet e zemrës.
Pija e tepruar e këtyre lëngjeve me sheqerna artificialë nxit shfaqjen e dislipidemisë, një term që përfshin nivelet e larta të triglicerideve dhe kolesterolit të keq.
Çfarë Është Kolesteroli
Kolesteroli është një substancë e ngjashme me dyllin që prodhohet nga mëlçia.
Ai ndahet në dy kategori: ai i lipoproteinës me dendësi të ulët (LDL) që është i keq dhe ai i lipoproteinës me dendësi të lartë që është i mirë.Ushqimet e përpunuara dhe pijet industriale me sheqer nxisin grumbullimin jo të shëndetshëm të kolesterolit në enët e gjakut duke i hapur rrugën sëmundjeve të zemrës.
Pijet Industriale Me Sheqer Dhe Kolesteroli
Konsumi i përditshëm i pijeve të tilla industriale rrit me 98 përqind gjasat që një njeri i shëndetshëm të ketë nivele të larta të kolesterolit të keq në gjak.
Një gjë e tillë është faktor shumë i madh rreziku i aterosklerozës, atakut në zemër dhe ishemisë.
Ky rreziku ulet duke ndjekur dhe zbatuar një regjim të shëndetshëm ushqimor, siç është ai Mesdhetar.
Ky regjim rekomandon uljen e sasive të mishit të kuq dhe të karbohidrateve por konsumin më të rregullt të frutave, perimeve, peshkut, farave, drithërave të shëndetshme dhe yndyrnave si vaji ekstra i virgjër i ullirit.
Heqja dorë nga këto pije është hapi më i duhur që mund të marrë një njeri, sepse sheqeri është fajtor për shumë probleme madhore në organizëm./AgroWeb.org