Sot shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

 

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

 

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

 

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), shkruan KosovaPress.

 

Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kalojnë në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

 

Deri në orën 24.00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime për 2500 persona në muaj.

 

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

 

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.