Një 44-vjeçar është arrestuar ditën e sotme nga policia e Durrësit, pasi thyente xhamat e automjeteve dhe vidhte sendet personale që gjendeshin brenda.

 

Policia bën me dije se ka arrestuar në flagrancë, në tentativë për të vjedhur sendet personale në një automjet, shtetasin J. V., 44 vjeç, banues në Durrës.

 

Sipas uniformave blu, ky nuk ishte rasti i parë i vjedhjes së 44-vjeçarit, pasi nga hetimet është zbuluar se gjatë muajit prill 2023, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, shtetasi J.V. ka kryer edhe 6 raste të tjera grabitjeje.

 

“Në kuadër të operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kapën dhe arrestuan në flagrancë në tentativë për të vjedhur sendet personale në një automjet, në lagjen nr.4 Durrës, shtetasin J. V., 44 vjeç, banues në Durrës.

 

Nga hetimet rezultoi se shtetasi J. V., gjatë muajit prill 2023, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, në 6 raste, pasi ka thyer xhamat e automjeteve, me sende të forta, ka vjedhur sende të ndryshme në këto automjete”, tha policia.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.