Kapiteni i ekipit të Lazios, Ciro Immobile është përfshirë në një aksident rrugor në Romë. Ai ishte duke lëvizur me automjetin e tij kur u përplas me një tramvaj mes Piazza delle Cinque Giornate dhe Ponte Matteotti.

 

Nga pamjet duket se makina fuoristradë tip ‘Land Rover’ është shkatërruar tërësisht. Ciro Immobile shpëtoi nga aksidenti pa lëndime të rënda, vetëm dhimbje në shpatull. Menjëherë pas aksidentit, Immobile tha se ngjarja u shkaktua pasi tramvaji kaloi me semafor të kuq.

Ai ishte me vajzat e tij në makinë kur ndodhi përplasja rreth orës 08:30. Makina e tij përfundoi përballë tramvajit në kryqëzim. Futbollistin dhe vajzat i shpëtuan jastëkët e ajrit ndërsa tramvaji devijoi nga shinat për shkak të goditjes. Vajzat u dërguan në spital pasi u trembën nga goditja e fortë.

 

Të plagosur kanë mbetur makinisti dhe 2 pasagjerë. Sipas mediave italiane, edhe dëshmitarët thonë se tramvaji kishte kaluar në semafor të kuq. 

 

Sipas disave, ka një problem në sinkronizimin e sistemeve të semaforëve në kryqëzim. Hetimet po vijojnë nga policia e qytetit.

 

“Pashë makinën që goditi tramvajin mu në mes,” tha një dëshmitar.