Zvicra dhe Italia do të ripërcaktojnë një pjesë të kufirit të tyre, pasi ndryshimet klimatike po shkrijnë akullnajat që kanë shënuar historikisht ndarjen midis dy vendeve.

Akullnaja Theodul, nën malin e famshëm Matterhorn, humbi pothuajse një të katërtën e masës midis 1973 dhe 2010. Kjo e ekspozoi shkëmbin nën akull, duke ndryshuar ndarjen e kullimit dhe duke i detyruar të dy fqinjët të ripërcaktojnë një shtrirje afërsisht 100 metra të gjatë të kufirit të tyre.

“Seksione të rëndësishme të kufirit përcaktohen nga linjat e kreshtave të akullnajave dhe bora e përhershme,” tha qeveria zvicerane në një deklaratë javën e kaluar. “Këto formacione po ndryshojnë për shkak të shkrirjes së akullnajave.”

Zvicra miratoi zyrtarisht ndryshimin, ndërsa Italia nuk ka bërë ende të njëjtën gjë, por për shkak se është një “korrigjim i vogël kufiri”, vetëm Berna duhet të miratojë “konventën”. Ndryshimet e sakta të kufijve do të zbatohen dhe marrëveshja do të publikohet pasi të dyja vendet ta kenë nënshkruar.

Zona e prekur është zona e skijimit Mattherhorn, e cila përfshin Zermatt resort dhe është vendpushimi i pestë më i madh i skive në Evropë. Alpinistët dhe skiatorët mund të kalojnë lirshëm midis Zvicrës dhe luginës Valtournenche të Italisë.

Të dyja vendet ranë dakord të përshtatnin kufirin rreth atraksioneve të Testa Grigia, Plateau Rosa, Rifugio Carrel dhe Gobba di Rollin. Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në Tokë dhe temperaturat e larta po bëjnë që akullnajat e kontinentit të shkrihen me një shpejtësi alarmante.

Midis 2021 dhe 2023, Zvicra humbi 10 për qind të akullnajave, aq sa midis 1960 dhe 1990. Vera e vitit 2023 shënoi temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë, një rritje ekstreme që ka ardhur kryesisht si rezultat i përdorimit të lëndëve djegëse fosile./Scan