Kandidati i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj zhvilloi një takim në Shëngjergj, ku pasi mbolli disa pemë me banorët e zonës, tha se falë investimeve distanca me kryeqytetin është shkurtuar mjaft, çka e ka kthyer Shëngjergjin në një destinacion të shkëlqyer për fundjavat.

 

Nga Shëngjergji, ku u takua me banorët e zonës, kryetari i PS të Tiranës, Erion Veliaj tha se koalicioni i Berishës dhe Metës nuk ka as vulë, as emër, sepse kanë frikë se demokratët e vërtetë nuk i votojnë. Ai bëri edhe disa pyetje lidhur me shpenzimet e koalicionit për hapjen e fushatës dje në stadiumin Arena Kombëtare.

 

“E patë te stadiumi? 100 mijë euro miting për të dëgjuar njëri-tjetrin, ndërkohë që flet [Berisha] tërë kohës për varfëri. Për një parti politike, e cila nuk merr as lekë nga KQZ-ja, pyetja është: Nga vijnë lekët?”, deklaroi ai.

 

“Jo vetëm që u ka humbur vula, por te ai koalicioni nuk dinë as kë emër të vënë, se kanë turp. Po të vënë emrin e Ilir Metës mërziten demokratët, se thonë: ‘Si do votoj unë për Ilir Metën?’. Po të vënë emrin e Sali Berishës, ai është non-grata, nuk mund ta vënë në fletën e votimit. Mirë që u ka humbur vula, por tani u ka humbur edhe emri. Ata janë pa emër dhe pa vulë. Këta janë njerëz që kanë turp nga emri i tyre”, u shpreh Veliaj.

 

Ai ironizoi edhe pjesëmarrjen e ulët në stadium: “Po shikoja videot, kishin ikur edhe ata vetë. Imagjino, jo vetëm që nuk i ndjek më shumica e popullit, por edhe shumica e militantëve e kishte zbrazur stadiumin pa folur Saliu dhe Iliri. Do të thotë se edhe ata e kanë kuptuar që nuk bëjnë dot hajër. Më shumë vajtën për kuriozitet, për të parë stadiumin, që e kishin sharë aq shumë, sesa për të dëgjuar fjalimet, se e zbrazën sapo bënë fotografitë dhe selfiet”, u shpreh Veliaj, gjatë takimit me banorët e Shëngjergjit.

 

Ai tha se zgjidhja sot është shumë e thjeshtë. “Ka dy grupime: një grupim përfaqësohet nga ata non-grata, të cilët edhe sikur të duan të ecin përpara, nuk ecin dot se deri në Rinas shkojnë, nuk i lënë të kalojnë kufirin, janë ‘non grata’. Ndërkohë, ne kemi treguar që duke ecur përpara, duke i bashkuar njerëzit, duke i përveshur mëngët dhe duke i çuar punët deri në fund kemi mbërritur sot në një situatë kur Tirana është Qyteti Europian i Sportit, vjet ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë,” u shpreh Veliaj.

 

Veliaj: Investime edhe në fshatin më të fundit

 

“Sot, për të gjithë ata që janë në Shëngjergj, është bërë pak më kollaj të vish. Sot, për dikë që vjen në një bujtinë, është bërë më kollaj të mbërrish. Sot, për dikë që do të kalojë mirë një fundjavë, është bërë më e këndshme të jesh këtu”, u shpreh Veliaj.

 

Ai shtoi se ashtu siç është punuar deri më tani, duke shkruar deri në qendër të ish komunave, do të vijojë puna deri në fshatin më të fundit.

 

Veliaj dha lajmin e mirë shumë shpejt nis puna për rrugën e re nga Vërria në Shën Mëri.

 

“Me gjithë punët që kemi bërë kemi mbërritur deri në qendrat e çdo ish-komune. Kemi vënë dorë në qendër të Krrabës dhe tani jemi duke punuar për degëzimet, deri në fshatin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Zall-Herrit dhe tani po punojmë në Çekrezë dhe Kasallë, që të mbërrijmë deri në cepin më të fundit. Kemi mbërritur në qendër të Vërrisë, ku kemi bërë shkollën e re këtu. Në kohët e vjetra dukej sikur ishte fundi i botës kur ti thoje do shkoj në Zall-Bastar, do shkoj në Shëngjergj, ti mendoje se do merrje plaçkat dhe do shkoje në zbor, ndërkohë sot të shkosh në Shëngjergj ose në Zall Bastar për drekë, të vish në Vërri ose të shkosh në një nga zonat e kurorës, është vërtet një fundjavë e bukur. Besoj se është akti më patriotik që mund të bësh, pasi ndihmon një vëlla ose një motër që ka hapur një biznes, një restorant apo një bujtinë dhe po punon me djersë dhe ndershmëri në tokën e tij”, deklaroi ai.