Shqipëria synon të jetë pjesë e tregut unik europian për Komunikimet Elektronike, përmes investimeve të avancuara duke standardizuar shërbimin në përmbushje të kushteve që kërkon ky treg në zhvillim e sipër.
 
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi sot projektligjin “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”.
 
E pranishme në punimet e komisionit, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Enkelejda Muçaj, tha se, “ndryshimet ligjore synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar për Komunikimet Elektronike, sipas standardeve europiane, duke vendosur theksin në promovimin e investimeve të avancuara, që rrisin aksesin në shërbimet publike, private”.
 
Sipas saj, këto risi legjislative janë në funksion të objektivit të qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në tregun unik europian për Komunikimet Elektronike.
 
“Projektligji rishikon rregullimet në fuqi, në lidhje me spektrin e frekuencave, regjimin e shërbimit universal, rregullat për mbrojtjen e konsumatorit, numeracionin dhe komunikimet e emergjencave, rregullat për aksesin dhe rregullimin e tregut në tërësi, bazuar në një rregullim më simetrik”, u shpreh Muçaj.
 

Ajo theksoi se, risitë ligjore vijnë në kontekstin e zhvillimeve të ndodhura në sektorin e komunikimeve elektronike, zhvillimeve të teknologjive digjitale, përfshirjes në rregullim dhe të aplikacioneve, apo shërbimeve të reja, që mundësojnë mjetet e komunikimit elektronik, bazuar në praktikën evropiane.

Ndryshimet ligjore, vijoi Muçaj, vijnë si nevojë e adresimit më mirë të problematikave të tregut, dhe përmbushjes së objektivave strategjike për një shoqëri gigabit, duke marrë në konsideratë ndryshimet e vazhdueshme të teknologjive, ruajtjen e konkurrencës dhe  nevojës për investime të mëdha, të cilat konsiderohen të nevojshme për të çuar përpara Strategjinë e Tregut të Vetëm Digjital./ata