Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë të raportuar ditën e djeshme në Tiranë, ku një vajzë 28-vjeçare, u dhunua dhe u mbajt peng nga i dashuri i saj,  Gleard Gusholli.

 

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se jeta në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e pasigurtë, dhe se rendin në dorë e ka krimi dhe mafia.

 

Sipas Berishës, mafia e Tiranës, tejkalon Ndrahhetën dhe të gjitha grupet mafioze, sepse kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare.

 

“Një vajzë, 28-vjeçare, u burgos e marrë peng në shtëpi i ashtuquajturi partner. Duke kryer ndaj saj një terror fizik dhe psikologjik tipik për strofullat e mafies me protektoratin e mafies.

 

Jeta në Tiranë bëhet gjithnjë e më e pasigurtë. Rendin në dorë e ka krimi dhe mafia. U ndala në këtë rast dramatik, sepse muaj më parë, një vajzë nga Kenia, 19-vjeçare, që punonte në një kazino, u masakrua.

 

Klithmat e saj ranë në vesh të shurdhër. Vrasësi është i sojit të qeverisë. Vetëm qeveria arrin të heshtë, të shkatërrojë, të rrënojë të gjitha provat për të mbrojtur ministrat e saj kriminelë që fshehin krimin. Tirana është pra sot, qytet ku dominon ligji i mafias, ku dominon mafia.

 

Mafia e Tiranës, duke pasur parasysh se ka pushtetin, është mafia më e rrezikshme e Europës. Ajo tejkalon Ndrahhetën, Sakra Korona Unitën, tejkalon të gjitha grupet mafioze, sepse kreu i saj është qeveria mafioze shqiptare.

 

Dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj 28-vjeçares, indiferencën e treguar nga organet e rendit dhe në tërësi dorëzimin e sigurisë dhe rendit të qytetarëve në duart e organizatave kriminale nga një qeveri e lidhur kokë e këmbë me to”-tha Berisha.