Personat e ngarkuar në administratën publike me vlerësimin e nëpunësve civilë sa i takon punës së tyre nuk e bëjnë këtë në mënyrë objektive.

 

Të paktën në këtë konstatim ka dalë Komsioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil që në raportin e vitit 2022 nënvizon se në 98 për qind të rasteve nëpunësit vlerësohen me “mirë” dhe “shumë mirë”.

 

“Institucionet e administratës shtetërore (7 ministri) janë përfshirë në procesin e mbikëqyrjes tematike për zbatimin e ligjit në administrimin e shërbimit civil, në lidhje me institutin e vlerësimit të nëpunësit civil.

 

Në këto institucione është konstatuar se procesi i vlerësimit cedon në drejtim të objektivitetit dhe njëkohësisht, krijon mundësinë e humbjes së interesit dhe motivimit të nëpunësve për të kryer punën me një nivel gjithnjë e më të lartë cilësie, në kushtet kur vlerësimin “shumë mirë” dhe “mirë” e marrin rreth 98% e nëpunësve civilë, pra pothuajse të gjithë nëpunësit civilë në institucione” thuhet në raport.

 

I njëjti ndalet në faktin që personat që bëjnë vlerësimin nuk mbajnë shënime më të detajuara që duhet të ndjekin një procedurë standarde në procesverbal dhe të ruhen sëbashku me aktin e vlerësimit. Raporti nënvizon se është e nevojshme që zyrtarët që kryejnë këtë proces të trajnohen.

 

“Gjithashtu, gjatë procesit të mbikëqyrjes në këto subjekte, është konstatuar se nga ana e aktorëve të ngarkuar për realizimin e procesit të vlerësimit, mungojnë shënimet përkatëse të cilat duhet të materializohen në procesverbale dhe të ruhen së bashku me aktin e vlerësimit, pasi përbëjnë praktikën që materializon procedurën e ndjekur.

 

Në këtë situatë, Komisioneri vlerëson se zgjidhja e problemit në këtë rast është futja e procesit të vlerësimit në rrugë procedurale dhe trajnimi i zyrtarëve vlerësues me qëllim që të rritet objektiviteti në veprimet e tyre dhe të vlerësohet secili nëpunës në bazë të meritës dhe profesionalizimit të treguar gjatë realizimit të detyrave” vlerëson Komsioneri.

 

Sipas shifrave zyrtare vitin e kaluar nga ana e këtij institucioni janë verifikuar 1251 pozicione të shërbimit civil, ku 63 prej tyre ose 5% i përkasin institucioneve të pavarura; 925 pozicione ose 74% i përkasin administratës shtetërore dhe 263pozicione që zënë 21% të pozicioneve të verifikuara, i përkasin institucioneve të qeverisjes vendore.

 

Sa i takon indicieve për inspektim raporti vlerëson se në shumicën e rasteve informacionet kanë qenë individuale.

 

“Vihet re se vendin kryesor e zënë informacionet individuale, që kanë lidhje me marrëdhënien personale të punës të nëpunësve të ndryshëm civilë, të cilat kanë shërbyer si indicie për Komisionerin, për të verifikuar paraprakisht dhe nisur kryesisht, procesin e inspektimit.

 

Këto raste përfaqësojnë mbi 94% të çështjeve të trajtuara dhe kanë të bëjnë kryesisht, me shqetësime të shtetasve të ndryshëm apo të nëpunësve ekzistues, që pretendojnë se u janë bërë padrejtësi apo janë lejuar shkelje të ligjit, të cilat kanë cenuar ato të drejta që garantohen nga legjislacioni i shërbimit civil, duke kërkuar ndërhyrjen e Komisionerit për vlerësimin dhe zgjidhjen e rastit” thuhet në raport. /N.Maho/MONITOR