mbasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato tha sot se plani për rritjen dhe reformat, kërkon integrim politik dhe ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke e përafruar këtë rajon me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Sipas Gonzatos, sa më shumë rajoni afrohet me BE, aq më shumë kërkohet integrim ekonomik dhe politik i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori i BE, Gonzato ishte i pranishëm këtë të hënë në konferencën rajonale “Balkonomics”. Në koferencën e zhvilluar në Tiranë, morën pjesë 28 liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga SHBA, Bashkimi Evropian dhe vendet e rajonit, për të diskutuar zgjidhjet që çlirojnë rritjen ekonomike dhe afrojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Gonzato, në fjalën e tij evidentoi se marrëdhëniet e BE me Shqipërinë janë miqësore.
“BE-ja ka një gjurmë vërtetë shumë të madhe këtu në Shqipëri. Jemi donatori më i madh. Roli ynë këtu, ka qenë roli më klasik, ku diskutohet me qeverinë për përparësitë, natyrisht përparësitë në përputhje me procesin e anëtarësimit, dhe më pas vijon mënyra e zakonshme, ku dislokohet ndihma ekonomike për zhvillim”, tha Gonzato.
Ai shtoi se plani për rritje dhe reforma ka një tjetër logjikë, ai i përgjigjet thirrjeve të rajonit. Diplomati i BE-së në Tiranë shtoi se procesi i anëtarësimit është një proces i gjatë dhe mjaft teknik, që mbështet në arritjen e standardeve.
“Një proces që kërkon shumë punë për të arritur ato standarde që janë të nevojshme për t’u bërë pjesë e klubit të BE. Ndonjëherë mund të jetë dekurajuese, pasi ti bën shumë përpjekje gjatë rrugës dhe krejt befas merr të gjitha përfitimet. Por, ndonjëherë këto përfitime janë të vështira për t’u përballur nga ekonomitë e vendeve që duan të bashkohen me BE. Flas për konkurrueshmërinë e qëndrueshme me vendet e tjera të BE. Logjika këtu është për të ofruar disa prej përfitimeve të anëtarësimit, përpara se të kryhet i gjithë anëtarësimi në BE. Kjo arrihet duke u dhënë vendeve të rajonit në disa aspekte të tregut të përbashkët evropian”, theksoi Gonzato.
Ambasadori i BE në Tiranë, tha se fondet jepen hap pas hapi, sipas arritjeve të çdo vendi.
“Stimuli ekonomik, injektimi apo futja e ndihmave, 2 miliardë grante dhe 4 milionë hua që janë mjaft të favorshme dhe me mjaft interes edhe për Shqipërinë. Kjo është e kushtëzuar, jo si mënyra tradicionale e të dhënit fonde. Por, kjo mbështetet tek axhenda e reformave, që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimore kanë ndërmarrë për të kryer reforma në shumë fusha, në fushën e biznesit, ekonomisë, deri tek sundimi i ligjit”, tha Gonzato.
“Plani është publik, i disponueshëm për konsultim publik dhe shoqërohet me hapa konkretë. Në momentin kur hapat përmbushen, ose ndonjëri prej hapave realizohet, lëvrohet fondi apo ajo pjesë e fondit e dakordësuar”, shtoi ai.
Gonzato më tej, vuri në dukej rëndësinë e tregut të përbashkët rajonal, i cili do ta kthente rajonin në një zonë më atraktive për sipërmarrësit.
“Sa më shumë ecni përpara drejt anëtarësimit në BE, aq më shumë vendet duhet të integroheni me njëri-tjetrin. Kjo nuk lidhet vetëm me aspektin politik, por edhe me atë ekonomik. Shqipëria në vetvete është vend i izoluar, jo mjaftueshëm me interes për një sipërmarrës, por nëse është pjesë e një tregu rajonal dhe ti je në Tiranë, dhe Tirana është pjesë e një tregu rajonal, stimuli është mjaft i mirë. Kjo është krahpërkrah nevojës për të forcuar ndërlidhshmërinë mes të gjashta vendeve, pasi për momentin nuk është e mjaftueshme”, theksoi Gonzato.
Ambasadori i BE në Tiranë tha se Shqipëria ka paraqitur kërkesën për të qenë pjesë e zonës së përbashkët të pagesave në Evropë, çka do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe sipërmarrësit që duan të transferojnë para nga BE në Shqipëri dhe anasjelltas, duke patur kosto zero.
“Sa i takon integrimit ekonomik të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, kemi identifikuar disa prej fushave: Zona e përbashkët e pagesave në Evropë, ku Shqipëria ka paraqitur kërkesën për të qenë pjesë. Ka përfitime të jashtëzakonshme për individët dhe bizneset. Nëse transferon para mes Italisë dhe Shqipërisë do të ketë të njëjtat kosto, ose saktësisht asnjë kosto, njësoj si mes Italisë dhe Francës. Ky është një stimul i madh për individët dhe sipërmarrësit që kalojnë paratë nga një vend në tjetrin, apo remitancat.
Pjesa tjetër është korsia e gjelbër, diçka që e nisëm që në kohën e COVID-19 për të dëshmuar që COVID nuk do ta paralizonte ekonominë mes vendeve. Duam ta thellojmë këtë bashkëpunim, që korsitë e gjelbra të funksionojnë jo vetëm mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të BE, por dhe mes Shqipërisë dhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Aktualisht po punojmë për marrëveshjen për pajtueshmërinë dhe pranimin e produkteve industriale. Kjo shkon krah për krah me korsitë e gjelbra. Këto produkte duhet të jenë në standardet e vendit ku eksporton. Pra, ti duhet të garantosh këto standarde”, përfundoi Gonzato./ata